Ky është çifti që mashtroi 242 bashkatdhetarë me bileta
Nestret Hoxha dhe bashkëshortja e tij Stefanie Zabel kanë mashtruar 242 mërgimtarë me bileta të udhëtimit.
Kundër çiftit sot është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore e Prishtinës.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve M.K., A.B., S.Z. dhe N.H., pasi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”thuhet në njoftim.
Sipas aktakuzës, të pandehurit nga viti 2020, në vazhdimësi e deri më 4 gusht 2022, përmes Agjencisë Turistike “Prishtina Jet sh.p.k”, janë marrë vesh që vetes t’i sjellin përfitime pasuror në mënyrë të kundërligjshme.
“Përmes reklamimit në websajtin e tyre dhe sms-ave u kanë dërguar të dëmtuarve oferta joshëse për blerje të biletave fiktive me një çmim më të lirë se sa çmimi real, të cilat fluturime nuk janë realizuar asnjëherë ngase nuk kanë qenë të planifikuara e as të rezervuara apo të konfirmuara në sistemin e fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës, e as të atyre të Gjermanisë dhe të Zvicrës, kurse të pandehurit S.Z dhe N.H., përmes një marrëveshjeje (kontratë interne, e pa noterizuar) të nënshkruar me të pandehurin M.K., kanë krijuar një xhirollogari bankare në një bankë në Lucern të Zvicrës, të cilët në këmbim të një kompensimi prej 4 Euro për çdo transaksion kanë mundësuar shitjen e biletave fiktive të dëmtuarve në emër të agjencisë”, thuhet në aktakuzë.