Lajçak takon Vuçiqin: Duhet zgjidhje politike për heqjen e barrikadave, ai e kupton seriozitetin e situatës
I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, pas Kosovës ka vazhduar vizitën e tij në Serbi.
Lajçak ka bërë të ditur se ka takuar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, dhe se kanë diskutuar për situatën në veri dhe heqjen e barrikadave.
Mes tjerash, Lajçak thotë se Vuçiq ka kuptuar seriozitetin e situatës.
“Vazhdova sot misionin në Beograd për t’u takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ne patëm një diskutim të hapur dhe të ndershëm për një zgjidhje politike që do të ulte tensionet dhe do të mundësonte çmontimin e barrikadave. Ai e kupton seriozitetin e situatës”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Lajçak, mbrëmë, ka takuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti bashkë me homologun amerikan, Gabriel Escobar.
“Kemi pasur shumë për të diskutuar se cila është situata dhe cila do të jetë zgjidhja dhe prandaj jam këtu dhe nesër do të jem në Beograd. Ne do të përpiqemi të identifikojmë mënyrat për uljen e përshkallëzimit dhe t’i rikthehemi jetës normale, në mënyrë që të mund të vazhdojmë drejt dialogut normal”.
“Tensionet nuk e ndihmojnë askënd. Kemi ardhur në këtë moment, dhe unë nuk dua të drejtoj gishta por ne jemi të përkushtuar që të gjejmë zgjidhje”, ka thënë Lajçaku pas takimit.