Librat për një fëmijë 70-80 euro, ndihma sociale për familje me tre anëtarë 90 euro

Këtë vit shkollor i cili fillon më 1 shtator, prindërit do t’i blejnë vet librat për fëmijët e tyre. Ndryshe nga më shumë se një dekadë që në Kosovë, librat janë dhënë falas nga shteti. Kështu ka bërë të ditur dje ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, duke shtuar se mjetet për librat ministra t’ua transferojë nëpër llogari prindërve.
Por, sa do t’i kushtojë kjo një familje në Kosovë që jeton me asistencë sociale?
Besnik Dragusha, kryetar i Këshillit të Prindërve, ka thënë se në krahasim me vitet paraprake, librat për fëmijë mund të kushtojnë deri në 80 euro.
“Nuk kemi informacione se sa kushtojnë aktualisht, nga vitet paraprake, kanë kushtuar nga 70-80 euro që librat për një fëmijë”, u shpreh Dragusha.
“Unë kuptova që fillimisht do të bëhet rimbursimi i librave dhe më pas do të bëhet blerja që nënkupton parapagim dhe jo rimbursim”.
“Për ne si prindër, do të ishte më e leverdishme, dhe ne i bëjmë thirrje ministrisë, që realizimin, ata t’i blejnë librat, nuk kemi nevojë për rimbursime por ne kemi nevojë për libra të gatshëm që shpërndahen në shkolla si ka qenë në vitet paraprake”.
Kjo shifër prej 80 euro, krahasuar me skemën sociale në Kosovë përkthehet në barrë të madhe për familjet që nuk kanë persona të punësuar.
Sipas një hulumtimi të Institutit GAP në periudhën 2018-2022 në Kosovë, shuma e ndihmës sociale për familjen me 1 anëtar/e ka qenë 60 euro, ndërsa më e larta me 15 anëtarë ka qenë 180 euro.
Së këndejmi, familja me tre anëtarë, nëse llogaritet të ketë dy prindërit dhe një fëmijë, atëherë në muajin shtator do t’i ketë vetëm 10-20 euro për t’i shpenzuar në shportën e gjërave esenciale për jetesë nëse vendos që fëmijën e tij ta pajisë me libra shkollorë.
Situata bëhet më e rëndë për familjet me asistencë sociale që kanë më shumë se një fëmijë pasi shuma e ndihmës sociale në asnjë formë nuk e kompenson çmimin e një pako me libra. Megjithatë, mbetet të shihet se cili do të jetë modaliteti i rimbursimit të prindërve dhe nëse kjo do të bëhet para ose pas blerjes së librave.



