Memli Krasniqi: Kurti bëri marrëveshje të fshehtë për lirimin e Pantiq

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dyshon se vendimi për ta çuar Dejan Pantiqin në arrest shtëpiak mund të jetë rezultat i një marrëveshjeje të fshehtë të Qeverisë.
Sipas Krasniqit, nëse ekziston diçka e tillë atëherë Qeveria duhet që ta arsyetojë këtë vendim, duke shtuar se kryeministri Albin Kurti nuk ka nevojë të fshihet, por duhet të tregohet i sinqertë me qytetarët.
Ai shton se vendimi për Pantiqin është tejet konfuz, duke marrë për bazë që ai është i akuzuar për terrorizëm.
“I takon Qeverisë që të dal e të shpjegojë a ka qenë e përfshirë në diçka të tillë, sepse ajo që është diskutuar plot herë gjatë ditëve të fundit që Qeveria duhet të pajtohet me lirimin e të arrestuarit Pantiq në arrest shtëpiak në mënyrë që të të hiqen barrikadat. Nëse kjo është një marrëveshje e fshehur që e ka bërë Qeveria, mirë është që të na tregojë që ta arsyetojë këtë vendim”.
“Edhe pse në Kosovë pushtet janë të ndara, Qeveria nuk duhet të pretendojë me ndërhy në vendimet e gjyqësorit. Është pak e çuditshme sepse, unë nuk e kam lexuar aktakuzën, por nëse thuhet që është akuzuar për terrorizëm, lirimi në arrest shtëpiak është konfuz, është me pikë pyetje dhe nuk jam i sigurt që mund të behët pa pasur edhe një lloj mbështetje politike. Nëse kjo mbështetje ka ardhur nga ana e Kurtit ai nuk ka nevojë të fshihet duhet të jetë i sinqertë me qytetarët dhe të dal të arsyetoj nëse ka qenë i involvuar në një formë apo tjetër në këtë vendim”.
Krasniqi duke komentuar zhvillimet e fundit në vend ka thënë se situata në veri është vetëm duke u përkeqësuar, kjo si shkak i vendimeve të gabuara të Qeverisë.
Ai tha se shqetësim për të është gjendja e qytetarëve shqiptarë të asaj pjese, pasi siç tha ai në komunikimet që ka pasur me banorët shqiptarë ata po ndihen të frikësuar.
“Situata në veriun e vendit është mjaft shqetësuese, fatkeqësisht në këto pothuajse tri javë nuk ka pasur një përmirësim, por përkundrazi ka shkuar duke u përkeqësuar gjendja. Shqetësimi im par se gjithash ka të bëjë me qytetarët atje sepse niveli i sigurisë ka shkuar duke rënë dhe në gjitha komunikimet që ne i kemi me banorët shqiptarë veçanërisht, e shohim që ka një rritje të frikës dhe normalisht që na vjen keq nëse kjo situatë nuk zgjidhet shpejt”, tha ai.



