Mimoza Kusari shkruan në faqen e saj të facebook për vrasjen e Gruas Shtatzëne “Liria ka kuptim kur vlen për të gjithë njejtë”
Edhe një çarçaf i bardhë mbulon krimin mbi gruan që po e sillte një jetë në këtë botë të mbushur me urrejtje dhe ligësi.
Jeta e gruas dhe e bebes u ndal nga plumbat e burrit nga i cili gruaja kishte vendosur të lagohej.
Sonte mos flisni për traditë, mos kërkoni arsye, mos, mos u mundoni të gjuani më as edhe një fjalë të vetme mbi shpirtërat që dhunshëm u larguan nga kjo botë.
Shoqëria jonë vret gruan, mbyt jetën brenda saj dhe kot që flasim kur vriten, përderisa shoqëria i gjykon deri në urrejtje patoligjike sa janë gjallë.
Sonte ndaluni një minutë, mbani frymën tuaj dhe mendoni kur keni ndihmuar një vajzë të mendoj e lirë? Kur keni lavdëruar dhe inkurajuar një grua me fjalë mbështetjeje për jetën dhe të ardhmen e saj? Kur e keni ndalur veten dhe mendimet tuaja duke gjykuar një grua se ka qenë vetvetja???
Shoqëria jonë vret vajza dhe gra çdo ditë me gjykime, me diskriminim, me poshtërim dhe nënçmim. Krejt në emër të “traditës” dhe një vlere e cila dizajnohet sa herë i konvenon rretheve të caktuara ta heqin nga hapësira ku ajo mund të përparojë ose minimalisht të jetojë e lirë.
Në emër të së njejtës kauzë është vrarë Nëna dhe bebja e saj sot në oborrin e klinikës gjinekologjike. U vra se e zgjodhi lirinë, u vra se dikush e konsideroi pronë, jo njeri, por plaqkë që mund të posedohet dhe vritet kur nuk nënshtrohet.
Mos e qani sonte Nanën dhe beben e saj, ato kanë ikur në botën e amshimit, nuk kthehen më!
Në vend të tyre, shiqoni kush dhe çfarë mund të shpëtohet. Goditja apo plumbi i kujt mund të ndalet për të mos e marrë edhe një jetë tjetër.
Liria ka kuptim kur vlen për të gjithë njejtë!