Ministri Sveçla po qëndron në Mitrovicën e Jugut
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, sot ka qëndruar në Mitrovicën e Jugut.
Me Sveçlën është parë edhe Arianit Beqiri, asistenti i kryeministrit Albin Kurti.
Dje në kampin Belvedere në Mitrovicë të Jugut ka qëndruar kryeministri Albin Kurti.
Sot, më 13 dhjetor, janë bërë tri ditë prej kur rrugët që të dërgojnë drejt dy pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak janë bllokuar.
Këto dy pika tashmë janë jashtë funksionit për shkak të pamundësisë së qarkullimit për të dalë përtej këtyre dy pikave kufitare.
Që nga e marta e javës së kaluar tensionet në veri të Kosovës janë rritur. Kjo fillimisht nisi për shkak të rezistencës së qytetarëve për të zhvilluar zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe e më pas tensionet vazhduan kur u raportua për arrestime të personave të dyshuar për sulm ndaj policisë e zyrave të KKZ-së në veri të Mitrovicës.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për sulm ndaj policisë në aksionin kundër kontrabandës me barna, që është zhvilluar në tetor të vitit të kaluar. Aksioni ishte zhvilluar kundër kontrabandës në veri të vendit.
Ish-zyrtari policor serb, Dejan Pantiq, është arrestuar të shtunën nën dyshimet se kishte organizuar sulmin me mjete shpërthyese në drejtim të zyrës së Komisionit Komunal Zgjedhor në veri të Mitrovicës.