Në Malishevë një ari tokë shitet deri në 100 mijë euro

Është qytet i vogël, por me vlerë të lartë të tokës.
Në Malishevë qytetarët paguajnë nga 50 mijë deri në 100 mijë euro për një ari tokë
Me çmim të majmë e ka shitur një parcelë vite më parë edhe Hasim Mazreku.
“Atëherë gjatë viteve të 90-ta, 1 ari ka kushtuar 104mijë marka, në këtë pjesën mbrapa, ndërsa tash për momentin është 100 mijë euro ari”, tha Mazreku.
Çmimin e lartë të tokës e konfirmojnë edhe qytetarë të tjerë.
“Gjithmonë në komunën tonë është flitur se kemi çmime të larta, saktësisht nuk e di sa është, por gjithmonë ka pasë çmime të larta të pronave”, tha Asdren Gashi.
Arsye për këtë sipas tyre është pozita gjeografike e komunës.
“E vetmja arsye është që është zemra e Kosovës, mesi i Kosovës, mandej edhe vlera është epiqendra me gjithçka për këtë vend”, Shaip Morina, qytetar.
“Është zemra e Kosovës, dhe për atë arsye dhe ka njerëz që janë nga Klina, Suhareka, që ka këtu që banojnë”, tha Hajdin Rudhaj, qytetar.
Megjithatë, në Komunën e Malishevës nuk japin detaje nëse qytetarët paguajnë më shumë tatim në pronë për shkak të vlerës së lartë të pronave.
“Tatimi në pronë është i caktuar me ligj në normat natyrore që është nga 0.15 deri në 1 për qind, ndërsa vlerësimin e pronave e bënë Ministria e Financave dhe mbi bazën e kësaj tatohen pronat në komunën tonë”, tha Blerim Thaçi nga komuna e Malishevës.
Megjithatë, bazuar në të dhënat e Agjencive të patundshmërive në këtë komunë, çmimi i njësive të banimit nuk është i lartë.
Kryeqyteti, Prishtina, prin me çmimet e larta të banesave, pasuar nga Prizreni, Peja, e Ferizaj. /atvlive.tv/Korrespodenti/



