Nëntë barrikada në veri, policia: Dy pikat kufitare po mbahen të mbyllura nga grupet kriminale
Situata në veri po vazhdon të jetë e njëjtë që nga 10 dhjetori kur edhe u vendos barrikada e parë.
Kjo pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, i cili dyshohet se ka kryer sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Komunal Zgjedhor.
Atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Ndërkaq për më tepër se një javë në Jarinje dhe Bërnjak janë vendosur nëntë barrikada.
Policia thotë se grupet kriminale po i mbajnë të mbyllura këto rrugë.
“Që nga vendosja e nëntë (9) barrikadave nga persona/grupe kriminale, situata e sigurisë në veri të vendit vazhdon të jetë e njëjtë, ku si pasojë e këtyre barrikadave dy pikat kufitare “Jarinje” dhe “Bërnjak” ende mbesin të mbyllura për qarkullim”.
“Referuar situatës së krijuar, bllokimit të rrugëve, e rasteve/sulmeve të ndodhura nga grupet kriminale, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës e po ashtu kanë ndikuar edhe në jetën e qytetarëve të asaj zone, të cilët nuk po mund të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk po e kanë qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme”.