Nis seanca në OKB – Kërkohet nga Kosova dhe Serbia të angazhohen në dialog
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka nisur mbledhja e jashtëzakonshme ku do të diskutohet për situatën në Kosovë Seanca është thirrur me kërkesë të Serbisë, pas vendimit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb dhe për shkak të mbylljes së disa komunave paralele serbe.
Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti, ndërkaq Serbia nga presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq.
Në mbledhje e pranishme është edhe shefja e Misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, Caroline Ziadeh.
Nga Qeveria kanë njoftuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar mbrëmë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës bashkë me kryediplomaten Donika Gërvalla-Schwarz.
“Kryeministri Kurti pritet të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet sonte në orën 21:00 sipas orës lokale të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverosë.
Serbia ka dashur që seanca të jetë e hapur në kërkesën që ia ka bërë Ministrisë së Jashtme të Guajanës, e cila aktualisht kryeson Këshillin e Sigurimit.
Të hënën, Serbia kërkoi seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për shkak të situatës në Kosovë, për të cilën pretendojnë se është “në kontrast të fortë me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.
Aty do të diskutohet për vendimin për ndalimin e përdorimit të dinarit nga Banka Qendrore e Kosovës.
Dy herë në vit, në prill dhe tetor, Këshilli i Sigurimit i OKB-së mban seanca të rregullta për situatën në Kosovë, ku diskutohen raportet gjashtëmujore të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për punën e Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK). Seanca e fundit e tillë u mbajt më 23 tetor 2023./Sinjali