Pasi të hapet ura e Ibrit, situata mund të eskalojë? Elshani: Nuk garantojmë asgjë, por ofrojmë siguri të lartë
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, u pyet se a mund të garantojë se s’do të ketë eskalim nëse hapet ura e Ibrit në Mitrovicë.
Në takimin e sotëm me qytetarë serbë në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, Elshani tha se për asgjë nuk mund të garantojnë, por shtoi se mund të ofrojnë “siguri shumë të madhe”.
“Sa i përket urës, jo për urë, por për kurrgjë mbi këtë tokë nuk garantojmë. 100% tash këtu s’jemi të sigurt. Por për një siguri shumë të madhe, ne mund të garantojmë, ta ofrojmë. Me siguri që unë do të isha i interesuar me ditë, nëse hapet ura po e zëmë, qysh me e hapë urën? Edhe ato janë çështje teknike të cilat ne i diskutojmë mandej edhe me aspektin tonë operacional. Por unë konsideroj që praktikisht, ura është urë, KFOR-i është aty, nëse lirohet sot ura, ajo do të vijë te sheshi, dhe vjen te sheshi”, tha ai, raporton Gazeta Express.Elshani tha se nuk do të shkojë ndonjë shqiptar nga jugu në veri për të bërë problem.
“Nuk ka as shqiptar që vjen në veri me bë problem. Nëse vjen, merremi ne me të”, tha ai.