Planin “franko gjerman” nuk e ndal Veriu
Diplomacia perëndimore është e vendosur ta çojë përpara planin për marrëveshje Kosovë-Serbi edhe pse tensionet në Veri u dolën në rrugë. Shefi i diplomacisë së BE’së Josep Borell tha dje në Bruksel se planin tani e mbështesin 27 vende anëtare dhe se duhet të ecën përpara me urgjencë. Diskutime për dokumentin u zhvilluan dje nga Kurti e Esobar, ndërsa kështu do të ndodhë edhe sot pas ardhjes së Lajcak. Kryenegociatori Bislimi tha mediave të huaja se shpreson që për këtë plan të nisë dialog intensiv.
Uashingtonit dhe Brukselit u ka dalë edhe një pengesë e re teksa po bëjnë përpjekje për ta arritur një marrëveshje Kosovë -Serbi. Në selinë e BE’së muajin e kalua kur i bindën palët që të arrijnë një marrëveshje për targat, lehtësuesit konsideruan se e pastruan rrugën për të ecur drejt marrëveshjes së madhe mbi bazën e planit franko gjerman.
Tash SHBA dhe BE janë gjetur përsëri në mes të lëmshit për të zgjidhur krizën në Veri që edhe pse Kosova shtyu zgjedhjet lokale atje nuk u tejkalua.
Por, diplomatët, që kësaj here duken të vendosur t’ia japin njëfarë epilogu telasheve të moçme Kosovë-Serbi, nuk u ndalën.
Dje Emisari i SHBA’së Gabriel Escobar takoi Kurtin dhe Osmanin në takime të ndara. Kur u krye, kryeministri tregoi cfarë ka folur me mysafirin nga Departamenti i Shtetit.
Në takim gjithashtu u diskutua për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e dialogut dhe për rrugën përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve” njoftoi Qeveria.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në kulmin e shpërthimit të tij për të fajësuar dhe sharë kosovarët, njoftoi se përpjekjet për marërveshje do të vazhdojnë.
Ai paralajmëroi vizitën e dy këshilltarëve të Kancelarit të Gjermanisë dhe Presidentit të Francës të cilët do të shkojnë më 17 dhjetor në Beograd, të cilët do të vijnë edhe në Prishtinë, por në Kosovë askush s’ka njoftuar për këtë.
Do të jenë 4- 5 orë të bisedimeve të rëndësishme, deri atëherë do të provojmë ta ruajmë në çdo mënyrë paqen dhe do të japim gjithçka nga vetja”, ka thënë Vuciq më 11 dhjetor.
Ndërmjetësi Borell ndërkaq paralajmëroi të hënën se për planin franko gjerman ka urgjencë.
“E kemi bërë këtë propozim dhe tani duhet ta çojmë përpara me urgjencë. I njoftova ministrat me përmbajtjen dhe jam i kënaqur me përkrahjen e fuqishme që e mora nga të gjithë ministrat për këtë inciativë që është duke e implementuar një detyrë të OKB’së, por tani është bërë propozim i 27 vendeve anatëre, jo vetëm propozoim i imi por po bëhet propoizim i 27 vendeve anëtare” ka thënë kryediplomati europian.
Në një intervistë për “Politico” Zëvendëskryeministri Bislimi nuk e fshehu entuziazmin për procesin.
“Shpresojmë ta nisim këtë proces të rëndësishëm e intensiv të normalizimit të ndërmjetëm. Ne do ta quajmë këtë marrëveshje bazike – një marrëveshje që mund të sjellë zgjidhje për shumë konteste mes Kosovës e Serbisë, por nuk nënkupton domodoshmërisht normalizim i plotë” ka thënë Bislimi.
Më skeptik për një marrëveshje është treguar ish -Kryeministri Avdullah Hoti, i cili të martën foli për mediat në Shqipëri.
Është vështirë që tani të mendohet të arrihet shpejt një marrëveshje me atë që ka ndodhur në terren. Në veri nuk ka policë serbë, autoritetet lokale nuk funksionojnë, nuk ka institucione të rendit dhe të sigurisë. Situata është e rëndë në terren. Dialogu do të fokusohet te situata në terren, por dialogu nuk ka alternativë. Besoj se mësimin e kanë marrë të gjithë” ka thënë ai.
Çfarë thuhet në raportimet e fundit për planin e përditësuar franko-gjerman?
Për herë të parë, plani evropian u përfol në shtator si një “non paper” që s’po e konfirmonte askush. Në fillim mohohej edhe ekzistenca e tij.
Në media ishte raportuar se ai s’parashihte njohjen e ndërsjellë, por normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe nga njohës të zhvillimeve mes dy shteteve konsiderohej se ky plan parashihte njohje faktike.
Së fundmi, Radio Evropa e Lirë ka publikuar detaje rreth planit të përditësuar, i cili thuhet nga zyrtarët evropianë se i është dorëzuar palëve javën e kaluar.
Propozimi i ka dhjetë pika dhe nëse palët pajtohen me të, ai do të hapë rrugën për vazhdimin e dialogut drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese.
Në dokument nënvizohet se nëse palët pajtohen me të, ato do të jenë të vetëdijshme se moscenimi i kufijve, respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe mbrojtja e pakicave janë kushtet bazë për paqe.
Ai nuk e përmend në mënyrë të drejtpërdrejtë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por vë theksin mbi zbatimin e të gjitha obligimeve që kanë marrë palët, deri më tash, në dialogun e tyre për normalizimin e marrëdhënieve.