Politikani serb “dekonstrukton” qëllimin e Serbisë në Veri: Vuçiç, Radoiçiç dhe Veselinoviç po përdorin Kosovën për t’i matur forcat
Për politikanin serb, Miroslav Paroviç, barrikadat në Veri dhe tensionimi i situatës në këtë pjesë të vendit i shërben vetëm dy përfaqësuesve të Listës Serbe, të cilët së fundmi u sanksionuan edhe nga Mbretëria e Bashkuar – Milan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviç.
Sipas kryetarit të Lëvizjes për Lirin Popullore – parti serbe e cila nuk ka mundur të fitoi mandat në Kuvendin e Serbisë – thelbi i gjithë lojës së pistë të keqpërdorimit të ndjenjave atdhetare serbe ka të bëjë se partneriteti ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe dy përfaqësuesve serb në Kosovë, Milan Radoiçiç dhe Zvonko Veselinoviç është lëkundur.
“Prandaj barrikadat në veri të Kosovës i shërbejnë qëllimit që dy biznesmenë kontrovers të hapin një linjë të pavarur negociatash me një faktor të jashtëm. Sigurisht, Vuçiç’it nuk i pëlqen fare kjo dhe për këtë arsye ai po përpiqet të përdorë ushtrinë për t’i thënë të njëjtit faktor të huaj se edhe ai është i gatshëm të shkaktojë një krizë të madhe”, beson Miroslav Paroviç.
Në leximin e tij, Paroviç, thekson se serbët në Veri janë pengë të njerëzve si Vuçiç, Radoiçiç dhe Veselinoviç.“Prandaj nuk ka zgjidhje për asnjë problem në vend derisa të rrëzohet kjo qeveri e kriminalizuar dhe e korruptuar, e cila është shkaku i të gjitha tradhtive”, ka shtuar ai.
Që nga 10 dhjetori, disa serbë lokalë në Veri ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Veprimet e tyre u ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiç, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.
Kosova dhe Serbia janë të gatshme që të de-eskalojnë situatën në Veri, ka thënë Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një prononcim për gazetarë para fillimit të mbledhjes së ministrave të shteteve anëtare në Këshillimin Evropian.
Më 10 dhjetor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit konsultativ me partitë politike lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve në Veri, ka vendosur t’i shtyjë zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan të cilat do të mbaheshin me 18 dhe 25 dhjetor.
Osmani ka thënë se zgjedhjet për këto katër komuna do të mbahen më 23 prill të vitit 2023
Arsyeja e shtyrjes së zgjedhjeve, sipas Osmanit, është niveli i rrezikshmërisë.
Por, pavarësisht shtyrjeve të zgjedhjeve situata në Veri vazhdon të jetë e tensionuar.
Kamionë të mëdhenj dhe autobusë vazhdojnë t’i bllokojnë rrugët në fshatin Rudarë të Komunës së Zveçanit, përkatësisht në rrugën që çon drejt pikës kufitare me Serbinë – Jarinjë.