Ngjarje

Prokuroria Speciale: Dështuat ta dërgonit të dyshuarin në paraburgim

Prokuroria Speciale e Kosovës ka fajësuar Policinë e Kosovës për pamundësinë e dërgimit të ish-policit Dejan Pantiq nga ndalimi policor në paraburgim.

Në një reagim për media, Prokuroria Speciale ka thënë se ish-policit të dyshuar për terrorizëm iu është zëvendësuar masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak për shkak të pamundësisë për ta transferuar atë në qendër spitalore.

“Edhe pse kundër të pandehurit ka ekzistuar vendim për caktim të paraburgimit, për shkak të rrethanave tashmë të njohura, i njëjti asnjëherë nuk u dërgua në paraburgim ashtu siç kërkohet me ligj”, ka thënë Prokuroria Speciale, raporton Paparaci.

Prokuroria Speciale ka thënë se pas vizitave të ekipeve mjekësore të Eulex-it, të cilët kanë konstatuar gjendje jo të mirë  shëndetësore për të pandehurin, ata kanë rekomanduar trajtim në një qendër spitalore, megjithatë as ky rekomandim nuk u realizua.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, duke u bazuar në aspektin shëndetësor dhe njëkohësisht aspektin human i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, zëvendësimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Pantiq, pasiqë i njëjti ishte në pamundësi t’i gëzoj të drejtat që ju takojnë të paraburgosurve në qendrat e paraburgimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Pas dërgimit të ish-policit serb Dejan Pantiq në arrest shtëpiak, kryeministri Albin Kurti ka thënë se është kureshtar të di se cilët janë prokurori dhe gjyqtari që e kanë liruar një të paraburgosur për terrorizëm.

Kurti, në një konferencë për media, ka shprehur habinë e tij se si një i paraburgosur për terrorizëm dërgohet arrest shtëpiak.

Related Articles

Back to top button