Pse shpërtheu Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës?

Dhe… ndodhi! Albin Kurti ka treguar haptas tendencat e tij autoritare duke e bërë një sulm të paprecedent ndaj një institucioni krucial në sistemin e drejtësisë. Qysh ndodhi ky sulm?
Kryeministri i Kosovës u shfaq shumë nervoz në seancën e sotme të Kuvendit, ku sipas tij po i bëhej gjyqi “njeriut në burg.” E kishte fjalën për Nagip Krasniqin, kryeshefin ekzekutiv të KEK-ut që u arrestua dje.
Nuk dihet nëse arrestimi apo deklarimet e opozitarëve për arrestimin e nervozuan Kurtin, por dihet se çfarë fjalësh i tha gjatë kësaj seance parlamentare që do të mbahet mend gjatë.
Blerim Isufaj s’mund të bëhet kryeprokuror
Emri i Blerim Isufajt po pret të dekretohet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tash e një kohë të gjatë.
Por, duket se kryeministri i vendit vendos edhe në emër të Vjosa Osmanit.
Ai akuzoi Blerim Isufajn se kishte disponim negativ ndaj tij dhe qeverisë së tij.
“…emri i kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë… sot është Blerim Isufaj. Ky është thelbi i çështjes, të tjerat janë pasoja,” – u shpreh z. Kurti.
Më pas, ai pati edhe akuza direkte ndaj prokuror Isufajt:
“Kjo lidhet më shumë se me askënd tjetër me figurën e prokurorit Blerim Isufaj… bëhet fjalë për një prokuror, i cili është mirënjohur në skenën tonë politike që me rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Asanajt, të cilën e kategorizoi si vetëvrasje ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të informimit në kryeministri, Hamdi Sopës, e shndërroi në vrasje.” – tha ai.
Nga këto fjalë mund ta kuptojmë se presidentja duket të mos e ketë lirinë e vendimit për dekretimin ose jo të Isufajt.
Se sa e rëndësishme është kjo pozitë për Kurtin ishte evidentuar edhe në një intervistë për transmetuesin publik ku ishte shprehur:
“Më e rëndësishme është zgjedhja e kryeprokurorit të ri, se sa zgjedhja ime si kryeministër,”
Këto deklarata pastaj ai i kishte përsëritur.
Kryeprokurori / Përgjigjja që s’po vjen, a po blen kohë Presidentja Osmani me mosdekretimin e kryeprokurorit?
Dhe, se e shihte pozitën e kryeprokurorit të lidhur me vullnetin e tij treguan edhe këto fjalë:
“Ky dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të qeverisë e presidencës.”
Ndërkohë, se një gjë e tillë nuk do të ndodhte ai shprehu edhe një zotim:
“Ky njeri (Blerim Isufaj) po dëshiron të bëhet Kryeprokuror. E nuk do të mundet, sepse këtu ka Republikë edhe popull,” – u shpreh kryeministri.
Ai mbrojti edhe shefin e arrestuar të KEK-ut
Kurti mbrojti edhe shefin e arrestuar të KEK-ut, duke e rënduar edhe më shumë pavarësinë e sistemit gjyqësor.
“Prokuroria është shumë e zellshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro.” – u shpreh z. Kurti.
Ai akuzoi deputetët e Kuvendit se i kishin bërë gjyqin Nagip Krasniqit në sallë të Kuvendit.
“Njeriut në burg i bëhet në parlament gjyqi. Unë nuk ndërhyra po të flitej për KEK-un. Por këtu, i bëhej gjyqi një personi…”
Kryeministri Kurti pati sulme edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese që sipas tij po e shkruante kushtetutën për shkak të rrëzimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK).
Analisti Vehbi Kajtazi e ka lidhur këtë rast me atë të Martin Berishajt, duke lënë të nënkuptohet që sulmet e Kurtit janë bërë pikërisht për shkak të një gjëje të tillë.
“E di pse po e bëni këtë. Sepse e dini se Martini është një këmbë në burg, një jashtë burgu.” – tha z. Kajtazi.



