Rama i prerë: S’mund të ketë normalitet as mes Shqipërisë e Serbisë pa u kthyer tre policët kosovarë në shtëpi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përsëritur kërkesën që tre policët kosovarë që u rrëmbyen më shumë se një javë më parë nga forcat serbe në Leposaviq, të lirohen sa më parë, raporton Gazeta Sinjali.
Në një konferencë për media, Rama tha se nuk mund të ketë normalitet as mes Serbisë e Shqipërisë, për aq kohë sa policët nuk lirohen.
“Dje nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, për sa kohë tre efektivët se Policisë së Kosovës vazhdojnë të mbahen në burg në Serbi. Nuk ka asnjë mundësi që të ketë përparim në dialog apo deeskalim konkret pa kthimin e tyre në shtëpi. Madje nuk mund të ketë normalitet as në marrëdhëniet mes Serbisë e Shqipërisë, për sa kohë Serbia nuk i jep fund heqjes së lirisë së tre policëve të cilët nuk kanë kryer asnjë krim. Edhe nëse e kanë kaluar vijën e kufirit, sikur ta marrim të mirëqenë këtë pretendim, dihet botërisht se në çdo legjislacion demokratik, cdo kalim i paligjshëm demokratik, njerëzit arrestohen, pyeten dhe kthehen mbrapsht me masën e ndalimit të hyrjes në atë vend për një kohë të caktuar.Mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është e pajustifikueshme dhe është e papranueshme. Përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore përmbajtjen pa asnjë të drejtë të tre policëve të huaj në burgun e 3 policëve të një shteti tjetër duke ngritur zërin për 3 të arrestuar në veri të Kosovës, është e papranueshme”, ka thënë ai.



