Rama: Kjo shtatore vjen në vendin e duhur, aty ku gërshetohet dashuria për dijen me atë për njeriun
Kryetari i Prishtinës,Përparim Rama, ka thënë se shtatorja e veprimtarit Anton Çetta është vendosur në vendin e duhur, aty, ku sipas tij, gërshetohen dashuria për dijen me atë për njeriun.
“Fort të dashurit tonë, humanistit Anton Çetta, po ia njohim madhështinë duke e shënuar me përurimin e shtatores së tij, përjetësinë në mesin tonë. E vendosur në oborrin e Universitetit, kjo shtatore na vjen në vendin e duhur: aty ku gërshetohen dashuria për dijen me dashurinë për njeriun”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai tha se veprimtaria e tij e shenjtë “na mësoi se virtyti më i lartë njerëzor është me shtri dorën e pajtimit e me falë”.
Rama e përmbylli postimin e tij, me një fragment të pajtuesit të gjaqeve.
“Shpërblimi më i lartë për mua dhe të gjithë të rinjtë dhe intelektualët e tjerë që marrin pjesë në pajtim është kënaqësia që ndiejmë kur e shohim se patëm sukses dhe kur i shohim duke u përqafuar ata që, vetëm disa çaste më parë, janë konsideruar hasëm midis tyre. A ka shpërblim më të madh sesa kur rrjedhin lotët e gëzimit! E çdo gjak i falur është një kontribut i madh për faljen e të gjitha gjaqeve. Kjo bën që të mos ndihet as lodhja, as pleqëria.” – Anton Çetta.