Rifat Latifi: Nuk kam hatërmbetje me Kurtin
Për herë të parë pas largimit nga pozita e ministrit të Shëndetësisë Rifat Latifi, erdhi në Kosovë.
Arsyeja e parë ishte shënimi i katërvjetorit të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, ku ai është kryetar. E dyta, promovimi i një reviste dedikuar kirurgjisë.
Ish-ministri Latifi theksoi se nuk do të heqë kurrë dorë nga Kosova, dhe se kontributi i tij për shëndetësinë kosovare do të jetë edhe më i madh sesa kur ishte nën petkun e ministrit.
Latifi bëri me dije se nuk ka hatërmbetje me ish-eprorin e tij, kryeministrin Albin Kurtin, teksa potencoi se edhe në revistën e botuar e ka falënderuar atë për mundësinë që i kishte dhënë.
Megjithëkëtë, shton se nuk e kishte pritur epilogun e tetorit, muajin kur dha dorëheqje nga pozita e ministrit.
Profesori i kirurgjisë që jeton në Amerikë beson se ishte i përkushtuar në përgjegjësitë e tij gjatë kohës sa ishte ministër.