“Sharja e Piksit për nënat shqiptare është fotografia e vërtetë e Serbisë”
Milojko Pantiq, njëri nga gazetarët më me nam në Serbi, e ka bërë për pesë para selektorin e përfaqësueses së këtj shteti në futboll, Dragan Stojkoviq Piksi për fyerjen që ky i fundit ua bëri lojtarëve shqiptarë të Zvicrës, më 2 dhjetor në Qatar 2022.
“Ky është ai legjendari sportiv, selektor dhe Mister, i cili në momentin kur ekipi i tij e ktheu rezultatin ndaj Zvicrës u gëzua aq shumë saqë i shau me zë nënat shqiptare të reprezentuesve të Zvicrës…”, ka shkruar ai në një koment për Danas.
“Për fat të keq, ajo sharje është edhe fotografia e sotme e Serbinë e cila po fundoset në urrejtje, ksenofobi, vetëmashtrim dhe kuazinacionalizëm”. Pantiq ka thënë se gjendja e këtillë në të cilën ndodhet Serbia nuk është vetëm nga dje. Sipas tij, mentori politik i Piksit (e ka fjalën për presidentin Aleksandar Vuciq) në vitet ’90 bërtiste në parlament: Për një serb do të vrasim 100 myslimanë. “Ky (pra Vuciq) por edhe babai i tij ideologjik, Shesheli edhe sot udhëheqin me Serbinë. Madje, Sheshel i dërgoi një urim Piksit në të cilin tha: Urime djema! Nuk është turp të humbni. Turp është të jesh Shiptar ose Ustash”, ka shkruar Pantiq.
Milojko Pantiq llogaritet të jetë njëri ndër gazetarët dhe komentatorët më të mirë të Serbisë dhe Jugosllavisë dikur. Ai njihet për kritikat e rrepta që i bën rreth përfshirjes së politikës në sport, në vendin e tij. Sipas tij, Vuciq ka kapur rrastë sportin në Serbi dhe Piksi është bërë vegël e tij, duke përfituar marramendshëm nga politika. Piksi është parë qartas duke sharë “nënat shqiptare” në ndeshjes e Serbisë kundër Zvcrës, të cilën e fitoi kjo e fundit 3 me 2. Pantiq ka edhe një kanal të tij personal në Youtube, të titulluar “Politika dhe sporti” e të cilin e quan si një “ishull shprese në mjerimin medial dhe shoqëror” të Serbisë.