Ngjarje

Shkencëtarja shqiptare që u zgjodh më e mira në Evropë tregon si arriti që puna e saj kërkimore të integrohet në gjuhë programimi

Shkencëtarja shqiptare, Dr. Ornela Dardha, në fillim të muajit të kaluar është vlerësuar nga qeveria italiane si “Shkencëtarja e re femër me arritje personale të jashtëzakonshme”.

Në një lidhje direkte në emisionin ALARM në ATV, ajo tregoi se ky çmim organizohet në gjithë botën ku janë disa rajone që nxjerrin fituesit e tyre.

“Ishte një njoftim publik që u dha nëpër universitete në gjithë botën dhe konkurrimi ishte nëpër rajone, do të thotë, Amerika e Veriu, e Jugut, Evropa, Afrika dhe Lindja e Mesme, Azia dhe Oqeania. Për Evropën, ku është rajoni ku unë fitova, femra nga të gjitha fushat e shkencës dhe teknologjisë, matematikë, fizikë, kimi, mjekësi, morën pjesë dhe konkurruan ndërmjet tyre, u zgjidhën në fund tre, ky është komunikim që na u dha nga ministria dhe ndër këto tre pastaj u vendos vetëm një fituese”, tregoi Dardha.

Ajo tregoi se cili ishte kontributi i saj ndër vite që rezultoi me vlerësimin si shkencëtarja më e mirë në Evropë.

“Është një seri kontributesh që ka filluar kryesisht me doktoraturën dhe ka vazhduar më vonë në vitet pas doktoratës. Puna ime kryesore është në informatikën teorike dhe në gjuhët e programimit. Metodat e kërkimit janë metodat e verifikimit formale matematikore për korrektesën e programeve. Puna që fillova gjatë doktoraturës ishte puna kërkimore për metoda më themelore, pra më primitive, më të thjeshta, që më vonë u përdorën nga komunitetit shkencor si mënyra për t’u integruar këto metoda në gjuhë programimi”, tha Dardha.

Ajo tani është lektore në shkencat kompjuterike në Universitetin e Glasgoë. Ajo ka përfunduar studimet në Bolonja të Italisë, ku ka jetuar për 9 vjet. Ka mbaruar studimet bachelor dhe master për informatikë në La Sapienza, ndërsa doktoraturën në Bolonja. /atvlive.tv

Related Articles

Back to top button