Statovci “sfidon” Escobarin: Asgjë s’e cenon lidhjen Kosovë – ShBA

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje nga Lista Guxo, Jeta Statovci, me nominim të presidentes së vendit, Vjosa Osmani, po mer pjesë në takimin e pestë të nivelit të lartë të Rrjetit të Pikave Kryesore për Agjendën për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Washington.
Statovci tha se pjesëmarrja, fuqizimi politik dhe ekonomik i grave me qëllim forcimin e një shoqërie të qëndrueshme dhe të aftë për t’i kontribuar sigurisë, paqes e stabilitetit është me shumë rëndësi.
“Kosova ka përfituar shumë në këtë drejtim nga partneriteti me SHBA-të. Rruga jonë e fuqizimit të demokracisë, paqes dhe sigurisë mbetet e koordinuar fuqishëm nga ky bashkëpunim i pa cenueshëm”, tha Statovci.
“Asgjë nuk e cenon lidhjen e Kosovës me SHBA-të, meqë asgjë nuk cenon vizionin tonë shumë të vendosur për demokraci”, tha Statovci.
Deklarimi i Statovcit vjen pikërisht në ditën kur Emisari i SHBA-ve për Kosovën, Gabriel Escobar nuk është kursyer në kritika për prishjen e raporteve të kryeministrit Kurti me SHBA-të.



