Ngjarje

Sveçla: Beogradi vazhdon me fushatë dezinformuese për të arsyetuar pretendimet territoriale ndaj Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se fushata dezinformuese e Beogradit për të arsyetuar veprimet kriminale nuk ka të ndalur.

Sveçla ka thënë se “’lajmet’ e porositura se kinse Policia e Kosovës ka lista mbi të cilat po arreston ish-policët, si pjesë e orkestruar e fushatës dezinformuese, po përdoren si mjete për të arsyetuar pretendimet e hapura territoriale të Serbisë, barrikadat dhe për të frikësuar qytetarët tanë serb”.

“Nuk ka lista të tilla. Ne nuk përpilojmë aso listash. Në Republikën tonë demokratike, prokuroria që ndjek krimin është degë tjetër e pushtetit prej policisë që zbaton ligjin e urdhrat dhe prej Ministrisë së Punëve të Brendshme që është degë e ekzekutivit”, ka thënë Sveçla në një postim në Facebook.

Sveçla më tej ka thënë se “fushata dezinformuese se një ish-polic në Mitrovicën e Veriut është arrestuar dhe se janë penguar punonjësit e elektrodistribucionit, vërteton edhe njëherë nevojën që barrikadat duhet të hiqen menjëherë dhe se normaliteti duhet të kthehet sa më parë në këtë zonë”.

“Policia e Kosovës do të zbatojë urdhrat e organeve të drejtësisë dhe do të vazhdojë të jetë vigjilente në ruajtjen e sigurisë publike dhe luftimin e krimit në çdo kohë”, ka thënë ai.

Policia e Kosovës ka mohuar se një ish-pjesëtar serb i këtij institucioni është arrestuar në Mitrovicë të Veriut.

Sipas një njoftimi për media, Policia i cilësoi këto informacione si “spekulime nga disa mediume serbe”.

“Spekulimet e radhës nga mediumet serbe janë se kinse Policia e Kosovës edhe sot ka arrestuar një person [ish-policin Z.M] në Mitrovicë Veri, si dhe kinse Policia e Kosovës, në veri të vendit ka penguar punonjësit e elektrodistribucionit për të kryer riparime të një defekti në rrjetin elektrik”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia shtoi se nuk ka informacione zyrtare për këtë arrestim, e as për pengimin e ndonjë punonjësi në veri që kryen detyra zyrtare.

Ky reagim i Policisë së Kosovës vjen pasi disa media serbe raportuan se një ish-pjesëtar i Policisë, i identifikuar si Zoran Mihajlloviq, u arrestua në Mitrovicë të Veriut më 16 dhjetor.

Related Articles

Back to top button