Ngjarje

Torres pas takimit me Gërvallën: Unë qëndroj me Kosovën, është aleate e palëkundur e SHBA-së

Ritchie Torres, kongresisti amerikan gjatë ditës së djeshme ka takuar Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Në një postim në platformën “X”, Torres ka bërë të ditur se me Ministren Gërvalla kanë folur për agresionin me të cilin po përballet Kosova nga Serbia.

“Si kongresmen për Bronxin, ku jetojnë mijëra shqiptarë nga Kosova, pata një takim produktiv me Ministren e Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz për agresionin me të cilin po përballet Kosova gjithnjë e më shumë nga Serbia, në veri”, ka shkruar ai.

“Unë qëndroj me Kosovën, e cila është një histori suksesi e demokracisë në Ballkanin Perëndimor dhe një aleat i palëkundur i Shteteve të Bashkuara”, shkroi tutje kongresmeni amerikan, Ritchie Torres.

Për takimin foli mbrëmë edhe Ministrija Gërvalla, e cila tha se Torres është mbështetës i vendosur i Kosovës.

“Takim i shkëlqyer me Kongresmenin amerikan Ritchie Torres, një mbështetës i vendosur i Kosovës. I adresova zhvillimet rajonale, agresionin e Serbisë ndaj Kosovës dhe theksova nevojën për veprim kundër regjimit të Vuçiqit për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm”, ka shkruar ajo në platformën “X”.

Related Articles

Back to top button