Trupa serbe në Kosovë, Klinaku: Do të ballafaqohen edhe ushtarakisht me neve si luftëtarë të UÇK-së
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL UÇK-së, Faton Klinaku, thirri një konferencë të jashtëzakonshme për media sot, pas kërkesës së Serbisë parashkruar KFOR-it që t’i dërgojë në Kosovë njëmijë trupa.
Ai tha se nëse dikush mendon t’ia realizojë këtë kërkesë Serbisë, “ne i kemi dal përballë 100 mijë trupave gjatë kohës së luftës në Kosovë, e natyrisht që do t’i dalim përsëri përpara dhe do të ballafaqohen edhe ushtarakisht me neve si luftëtarë të UÇK-së”.
Klinaku e bëri një kërkesë ndaj institucioneve të Kosovës, Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të bashkëpunojnë ngushtë me faktorin ndërkombëtar, faktor i cili tha se na ka ndihmuar edhe gjatë kohës së luftës, dhe që veçanërisht duhet të ketë bashkëpunim të ngushtë edhe me ShBA-të dhe shtetet e Evropës që të qetësojnë situatën në veri të Kosovës dhe që barrikadat atje të hiqen menjëherë, për shkak se vlerësoi që është rreziku i eskalimit të gjendjes.
“Natyrisht që në momentin që ndodh diçka në Kosovë, qoftë në veri ose vende të ndryshme, ne si OVL jemi të strukturuar, të organizuar nëpër të gjitha komunat e Kosovës dhe natyrisht që veteranët e luftës do të bashkëpunojnë ngushtë me degë të tyre dhe do të sqarohen edhe për situatën që e kemi dhe që mund të ndodhë në të ardhmen dhe do të jenë të gatshëm të përgjigjen në çfarëdo forme ose rrethane që na paraqitet”.
“Madje jemi të gatshëm edhe më shumë se që kemi qenë. Nëse dikur kemi qenë 600 apo 1000 veta në një brigadë, natyrisht që ky numër do të trefishohet sepse është vullneti i këtij populli, jemi të gatshëm të trefishohet ai numër për ta mbrojtur vendin tonë”, deklaroi ai në konferencë për media.
Klinaku në fund porositi që një zgjidhje politike vetëm për serbet nuk duhet të bëhet, duke theksuar se e kemi problemin e Luginës së Preshevës ku shqiptaret atje nuk i kanë të garantuara të drejtat e tyre bazike të lirisë dhe se duhet bërë zgjidhje edhe për ta, dhe kërkoi nga Qeveria e Kosovës që në tryezat te bisedimeve të futet edhe Kosova lindore.