Ushtrinë e Serbisë e kanë lëshuar 10 mijë ushtarë në 5 vjetët e fundit
Kryetari i Sindikatës së Ushtrisë së Serbisë, Novica Antiq, ka bërë të ditur se kjo ushtri po përballet me situatë alarmante, si pasojë e largimit të profesionistëve e plakës së profesionistëve. Në një deklaratë për “N1” të premten në mbrëmje, Antiq ka thënë se në pesë vjetët e fundit nga Ushtria e Serbisë janë larguar mbi 10 mijë profesionistë e se ka mungesë edhe të brigadave.
“Kur të mungon 25 për qind a më shumë e njerëzve, ajo njësi nuk është funksionale”, ka thënë ai.
Antiq po ashtu ka thënë se pos mungesës së stafit, Ushtria e Serbisë përballet me staf të plakur. Sipas tij, Ushtria e Serbisë ka ushtarë mbi 44 vjeç e se për pesë vjet më shumë se gjysma e personelit strategjik do të pensionohet.
“Nëse reformat në sistemin e mbrojtjes nuk ndërmerren në 3-4 vjetët e ardhshëm, pyetja do të jetë nëse Serbia do të ketë kapacitet ushtarak, të mjaftueshëm për ta përmbushur rolin e vet kushtetues”, ka thënë ai.
Antiq ka theksuar po ashtu se në vitet e fundit nuk ka as transparencë të shpenzimeve të buxhetit për mbrojtje.
Ai është ankuar edhe për kushtet në të cilat stërviten ushtarët serbë. Ka thënë se ushtarët angazhon në kushte fushore në tenda për dy muaj, me mungesë ushqimi, kushte të rënda higjienike.
“Çdo ushtar dëshiron kthimin në Kosovë, por…”
Për shkak të situatës në Kosovë, me urdhër të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga 2 nëntori, Ushtria e Serbisë është në nivel të lartë gatishmërie. Së fundmi, Serbia i ka dërguar kërkesë KFOR-it që t’ia mundësojë kthimin e 1000 ushtarëve në Kosovë. Sipas Antiqit, kjo kërkesë është dashur të bëhej shumë më herët. Megjithatë, edhe ai ka pranuar se s’do të lejohet kthimi i Ushtrisë së Serbisë në Kosovë.
“Sigurisht që çdo ushtar dëshiron të kthehet në Kosovë në njërën apo tjetrën mënyrë, edhe pse realisht është e pamundshme. Edhe vetë presidenti ka thënë ashtu. KFOR-i është i qartë në deklaratat e veta se mund të ofrojë siguri. Dhe kur Kurti dha ultimatum për t’i larguar barrikadat, ai nuk ka dërguar forcat në veri sepse ka reaguar KFOR-i. Po e shohim që KFOR-i po kryen detyrat e saj dhe do të shohim si nëse do të garantohet kërkesa”, ka thënë Antiqi.
Antiqi ka thënë se beson se “po që se bëhet përgatitje për luftë, do të ketë përgjigje të mirë për mobilizim”.