Ngjarje

Vuçiq: Serbia këtë javë dërgon kërkesë për vendosjen e trupave në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka deklaruar se Qeveria e Serbisë do të marrë vendim të enjten që t’i dërgojë kërkesë KFOR-it për të siguruar praninë e forcave serbe në veri të Kosovës.

“Seanca e Qeverisë është të enjten dhe siç janë gjërat, qeveria do të marrë vendim për dërgimin e një letre bordit të drejtorëve të KFOR-it”, tha Vuçiq në një deklaratë para media, raporton Tanjug.rs

Vuçiq pretendon se sipas Rezolutës 1244, Serbia ka të drejtë të kthejë forcat e saj në Kosovë.

Vuçiq është deklaruar edhe lidhur me deklaratën e ministres së Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila tha se paralajmërimet e Serbisë për shqyrtimin e dërgimit të forcave të saj në Kosovë, janë “krejtësisht të papranushme”.

“Berbok është përgjigjur në vend të KFOR-it, ndërsa KFOR ende nuk e ka pranuar kërkesën për kthimin e forcave tona në Kosove, do ta pranojnë te enjten pasdite, do të nxjerre para tyre 5 dokumenta dhe do ti pyes se cilin duan ta respektojnë, do ta respektojmë njërin nga ata” deklaroi Vuçiq.

Që nga 10 dhjetor, serbët ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Këto veprime i ndërmorën pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin e këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.

Sulmet ndodhën derisa KQZ-ja po bënte përgatitje për zgjedhjet lokale në komunat veriore: Leposaviq, Zveçan, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.

Zgjedhjet u shpallën pasi kryetarët e komunave dhe përfaqësues tjerë serbë u larguan nga vendet e punës në fillim të nëntorit, duke kundërshtuar një vendim të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar qarkullimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Related Articles

Back to top button