Zbulohet “arsyeja” e arrestimit te të riut kosovar në Serbi

Një qytetar i Kosovës me emrin Tefik Sejdiu është arrestuar të dielen në Serbi, gjersa ishte duke pritur në pikë kalimin kufitar mes Serbisë dhe Hungarisë, por i njëjti është liruar pasi autoritetet serbe e kishin ngatërruar 25-vjeçarin me një person tjetër.
Familjarët e Sejdiut kanë thënë për Klan Kosova se ai u lirua pasi dha deklaratë dhe u vërtetua se nuk ishte personi që kërkohej nga policia serbe.
Gjatë ditës një qytetar me emrin, Blerton Ademi ka shkruar në Facebook se bëhet fjalë për një person të quajtur Tefik Sejdiu, që siç njoftoi ai, është arrestuar nga agjentë të policisë serbe në kufirin Serbi – Hungari.
Ish-kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka reaguar pas raportimeve se autoritetet serbe e arrestuan e më pas e liruan 25-vjecarin nga Kosova, Tefik Sejdiu, të cilin policia serbe e kishte ngatërruar me një person tjetër.
Haradinaj-Stublla, përmes një postimi në profilin e saj në Facebook, tha se Qeveria e Kosovës duhet ta ngrisë çështjen e arrestimeve të shqiptarëve si temë urgjente në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Serbia NUK do të duhej të lejohet të shtiret më si shtet bashkëpunues rajonal, sepse vazhdon të mos i respektojë marrëveshjet e arritura përmes Procesit të Berlinit – specifikisht atë për lëvizje të lirë në WB6 nënshkruar vetëm disa muaj më parë!”, ka shkruar ajo.
Ish-ministrja tha se Serbia duhet të japë përgjegjësi në dialog për listat e fletëarresteve të lëshuara kundër shqiptarëve të Kosovës, duke përmendur edhe rastin e Nezir Mehmetajt, një ish-luftëtar i UÇK-së i cili po mbahet i burgosur që nga 3 janari i vitit 2020.
“Kosova duhet t’ia dëshmojë botës (me argumente faktike sidomos për arrestimet e vazhdueshme që bën, dhe mbajtjen ilegale të Nezir Mehmetajt tash e sa vjet) se Serbia vazhdon të gënjejë Amerikën, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, etj. duke nënshkruar marrëveshje sa për ‘sy e faqe’ e pastaj duke shkelë çdo shkronjë të saj”, përfundoi ajo.




